Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme masivin pyjor të Darëzezës, duke shkaktuar alarm në zonë.
Flakët, të ndihmuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi dhe kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Në vendngjarje ndodhen aktualisht 4 mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për neutralizimin e vatrave të zjarrit.
Forcat zjarrfikëse kanë arritur fillimisht të vënë nën kontroll bizneset dhe ambientet që operojnë në afërsi të pyllit, ndërkohë që vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve.