Zjarri i madh që shpërtheu të shtunën në masivin pyjor të Njësisë Administrative Labinot Mal, në bashkinë Elbasan, ka avancuar ndjeshëm këtë të hënë drejt territorit të bashkisë Librazhd, duke përfshirë zonat pyjore përreth fshatrave Gurakuq dhe Orenjë.
Përballë rrezikut të drejtpërdrejtë për komunitetin dhe mjedisin, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Librazhd është vënë në gatishmëri të plotë. Në vendngjarje ndodhen aktualisht 8 efektivë zjarrfikës, të pajisur me mjetet bazë dhe një fuoristradë, që po punojnë për izolimin e flakëve në terren të thyer dhe të vështirë.
Për shkak të relievit të thepisur, ndërhyrja me mjete zjarrfikëse të rënda nuk ka qenë e mundur. Ndaj ndërhyrja është bërë vetëm me mjete të lehta dhe punonjës në këmbë. Autoritetet kanë vendosur gjithashtu në përdorim dronë për identifikimin dhe monitorimin në kohë reale të vatrave të reja, me synimin për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Bashkia Librazhd dhe strukturat përkatëse i bëjnë thirrje banorëve të zonës të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë ndezje të reja dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve. Monitorimi i situatës vijon intensivisht.