Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë sot historinë e tre vajzave dhe grave që rezultojnë të zhdukura dhe historitë e së cilave kanë mbetur ende të pa zgjidhura.
Irena Seli është një tjetër grua e cila rezulton e zhdukur, në listën e gjatë të grave të humbura në rrethana të çuditshme në Shqipëri.
Ishte 15 Dhjetori i vitit 2004. Ajo po udhëtonte me tragetin e linjës Trieste-Durrës dhe ndërsa pritej të zbriste në tokën shqiptare, askush nuk diti të thotë nëse atë ditë ajo zbriti apo jo nga anija e pasagjerëve, udhëtim ku bashkë me të ishte edhe bashkëshorti i saj. Hetime të cilat u ndalën te një vrasje e mundshme. Kjo pasi u vërtetua se Irena Seli kishte hipur në traget, por nuk kishte zbritur nga aty.
Hetimet u morën përsipër nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila e hetoi për dy vite, por më pas ia kaloi çështjen Prokurorisë së Durrësit e cila e mbylli dosjen pa asnjë rezultat, pa pistë dhe pa autor.
Një histori e gjatë grindjesh bashkëshortore, e cila u konfirmua edhe gjatë gjykimit të çështjes, ku sipas të dhënave, Irena Seli kishte grindje të vazhdueshme me bashkëshortin e saj Agim Musha, për shkak të xhelozisë së këtij të fundit.
“Shtetasja Irena Seli ka qenë e martuar me shtetasin Agim Musha që nga viti 1982 deri në vitin 2008.
Nga martesa e tyre kanë ardhur në jetë dy fëmijë. Më datë 31 Tetor 2004, Irena Seli së bashku me bashkëshortin e saj Agim Musha janë nisur për në Gjermani, për të takuar fëmijët dhe të qëndronin disa dite aty, pasi më datë 9 Dhjetor djali i tyre kishte ditëlindjen.
Më datë 14 Dhjetor 2004, Irena Seli dhe Agim Musha, janë nisur në drejtim të Italisë, për në Trieste, ku kanë udhëtuar me një automjet tip ‘Mitsubishi’ 4×4.
Më datë 15 Dhjetor 2004, pas një udhëtimi prej 14-orësh, të dy kanë mbërritur në Trieste dhe pasi kanë prerë biletat, kanë hipur në traget dhe janë akomoduar në një dhomë dyshe. Marrëdhëniet midis çiftit nuk kanë qenë të mira. Gjatë kohës së qëndrimit në traget ata kanë debatuar, pasi Agimi dyshonte se Irena kishte një pako për të dashurin e saj”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ndërsa priste që bashkëshortja e tij të zbriste nga trageti dhe të takoheshin në sheshpushimin e terminalit, Agim Musha i cili dorëzoi në Prokurorinë e Durrësit edhe kallëzimin për zhdukjen e së shoqes, tha se nuk e pa më të.
Duke menduar se për shkak të zemërimit që kishte pasur mund të kishte më përpara në Tiranë, me taksi.
Ndërsa ai deklaroi se pas humbjes së gjurmëve të së shoqes kishte kontaktuar edhe me fëmijët në Gjerman, si edhe me të afërmit e saj në Shqipëri, por pa marrë asnjë përgjigje pozitive rreth fatit të saj
“Trageti ka mbërritur në Portin e Durrësit rreth orës 13:30. Më pas, Agimi ka shkuar për të marrë makinën.
Kur ka nxjerrë automjetin nga trageti, Agimi nuk e ka parë Irenën te sheshi i trageteve. Dhe ka menduar se ajo ishte zemëruar dhe kishte ikur me taksi pas debatit që kishin bërë. Duke mos marrë asnjë lajm për bashkëshorten në shtëpinë e vëllait të Irenës, shtetasit Y. Seli, në shtëpinë e motrës së tij D., dhe pasi është interesuar te fëmijët Bruno dhe Romina për të mësuar nëse Irena Seli kishte kontaktuar me ta apo jo, shtetasi Agim Musha ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ajo që duket se e komplikoi mjaftueshëm fatin e Irena Selit është se gjatë hetimeve rezultoi se trageti ku udhëtonin Irena dhe bashkëshorti i saj nuk kishte kamera. Po kështu edhe regjistrat e hyrje-daljeve rezultuan se nuk ishin të rregullt.
Ç’ka duket se e komplikoi jashtë mase gjetjen e Irena Selit, e cila ishte zhdukur nga hiçi dhe e vetmja mundësi ishte ose të mos kishte zbritur nga trageti dhe të kishte përfunduar në det. Ose të kishte mundur të zbriste dhe të largohej duke humbur gjurmët.
“Nga hetimet e zhvilluara u evidentua fakti se ‘Regjistrat e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve në Portin e Durrësit nuk mbaheshin në rregull dhe kamerat e vëzhgimit nuk ishin në gjendje pune. Trageti ‘V…’ nuk kishte të instaluara kamera në ambientet e tij për të provuar lëvizjet e pasagjerëve në traget. Por nga hetimi ka rezultuar se Irena Seli ka hipur në traget dhe ky është momenti i fundit që ajo është parë”, thuhet në dosje.
Një tjetër aspekt që e vështirësoi hetimin për zhdukjen e 40 vjeçares, ishte dhe fakti që qoftë ajo ashtu dhe bashkëshorti i saj, nuk figuronin të kishin vulosur pasaportat me të zbritur nga trageti në Durrës.
Ndërkohë që afrimi i festave të fundvitit kishte shtuar ndjeshëm edhe numrin e pasagjerëve, çka e bëri edhe më të vështirë identifikimin e çiftit të bashkëshortëve.
Teksa një oficer policie sqaroi se atë ditë ishin vulosur vetëm pasaportat e pasagjerëve që udhëtonin nga Durrësi në drejtim të Italisë.
“Në portin e Durrësit, as e zhdukura dhe as bashkëshorti i saj nuk i kanë vulosur pasaportat. Atë ditë ka pasur rreth 8 mijë vetë të ardhur nga Italia për festat e fundvitit, ndaj edhe punonjësit e policisë kanë kontrolluar vetëm pasaportat e atyre që largoheshin nga Durrësi”, thuhet në dosjen hetimore.
Një tjetër arsye që vështirësoi hetimin ishte edhe fakti që kallëzimi për zhdukjen e Irena Selit, u bë shumë vonë si nga bashkëshorti ashtu dhe nga të afërmit e saj.
Çka ndikoi ndjeshëm në zbardhjen e kësaj çështjeje.
Por në fakt punonjësit e tragetit të linjës Trieste-Durrës të cilët ishin të njohur me çiftin e bashkëshortëve, thanë për grupin hetues në atë kohë se e kishin parë Irena Selin të zbriste nga trageti atë ditë.
Gjatë marrjes në pyetje punonjësit e tragetit, pohuan se gruaja e pronarit të ‘Bruno’-s ka zbritur në portin e Durrësit.
“‘E kemi fiksuar atë grua, pasi udhëtonte shumë shpesh, bashkë me të shoqin, me tragetin tonë. Ajo ka zbritur në Durrës, pasi nuk është kthyer me ne, për në Itali. Ne dyshojmë se zhdukja e saj mund të ketë ndodhur pas zbritjes nga trageti”, thuhet në dëshminë e njërit prej tyre.
Dyshimet e grupit hetues mbetën te pista e vrasjes. Kjo për shkak të jetës së ngarkuar me grindje të Irena Selit me bashkëshortin e saj, por edhe në këtë rast humbja e një nëne, apo edhe bashkëshorte, futi në grindje familjen e mbetur. Ku bashkëshorti i Irena Selit e akuzoi atë se i kishte vjedhur 100 mijë dollarë.
Vetëm 10 vite nga zhdukja e nënës, djali i saj, kërkoi çregjistrimin nga gjendja civile, ndërkohë që tashmë janë mbushur plot 21 vite nga zhdukja misterioze e gruas në traget.


