Gazetarja Klodiana Lala rrëfeu një dëshmi prekëse në emisionin “Kjo Javë” në News 24, ku tregoi takimet e saj me familjen e Jan Prengës, i rrëmbyer dhe zhdukur në mënyrë tragjike në vitin 2020. Në një intervistë me moderatoren Nisida Tufa, Lala solli emocionet dhe vuajtjen e fëmijëve të viktimës, të cilët për vite me radhë shikonin nga dera me shpresën se babai i tyre do të kthehej.
“Vajza më tha se dëshiron të studiojë kriminalistikë. Djali i mitur më përqafoi dhe më tha ‘dua babin’, pa mundur të më shikonte në sy. Ishin një familje e thjeshtë, që jetonte në kushte shumë modeste. Madje, shtëpia nuk kishte as kuzhinë”, tha gazetarja.
Sipas Lalës, trupi i pajetë i Jan Prengës nuk është gjetur ende, dhe kthimi i tij do të ishte një lehtësim i madh për familjen që prej vitesh jeton në ankth, në kërkim të një fundi të dinjitetshëm për të dashurin e tyre. Ajo theksoi se gruaja dhe fëmijët e viktimës janë larguar nga Shqipëria me shpresën për të fituar azil politik në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Gazetarja nënvizoi se rrëmbimi i Jan Prengës ka lidhje me veprimtarinë kriminale të vëllait të tij në Britaninë e Madhe, por theksoi se kjo nuk e justifikon aktin mizor.
“Jan Prenga e pësoi vetëm pse vëllai i tij kishte marrë një sasi kokaine. Nëse ai ka gabuar, të mbajë përgjegjësi, por askush nuk ka të drejtë të marrë jetën e një njeriu në mënyrë kaq çnjerëzore. Familja ka nevojë për një varr, për një ndalesë, për një lamtumirë”, tha ajo, duke bërë thirrje për drejtësi dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.
Klodiana Lala: Ky mund të jetë rast i rrallë, kur 2 prokurorë të posaçëm përplasen me njëri-tjetrin për pretencën. Shteti shqiptar duhet ta ndjekë me vëmendje çështjen e zhdukjes së Jan Prengës, të kthejë trupin e tij pranë familjes, që ai ta ketë një varr ku të prehet. Kam shkuar shpesh në familjen e Jan Prengës përpara se gruaja dhe fëmijët të iknin me shpresën për të fituar azil politik në një nga vendet e BE-së, për të kuptuar sesi jeta e tyre u shkatërrua. Ata kanë shpresën e madhe se ndoshta një ditë, trupi i pajetë i Jani Prengës do të kthehet në familje. Vajza është 22 vjeçe, më tha se dëshiron të studiojë kriminalistikë dhe djali është në moshë të mitur, që shikonin shpesh nga dera, me shpresën që babai i tyre të kthehej. Disa kriminelë të pashpirt e rrëmbyen atë, e vranë. Disa nga ta janë para drejtësisë, është Dritan Rexhepi, Gentjan Doçi, Altin Hajri. Kam publikuar pamjet e trupit të pajetë të Jan Prengës në kompleksin e Altin Hajrit, që të tregoja se ka pasur trup të pajetë, sepse grupi pretendonte pafajësinë, duke thënë se nuk ka trup të pajetë. I kam kërkuar falje familjes për pamjet.
Festim Bezhdili u dënua me burgim të përjetshëm, u kthye vendimi i Apelit për rigjykim dhe në rigjykim kishte prova të reja si bisedat në Sky Ecc. Prokurorja thotë se Festim Bezhdili është anëtar i grupit kriminal se ka ndihmuar në krim të rëndë në mënyrë aktive, ndërsa prokurori tjetër Behar Dibra, ka thënë se duhet të rikualifikohet vepra penale dhe të dënohet me 20 vite burg. Gjykata tashmë duhet të vendosë drejtësi për ngjarjen. Nëse kthehet trupi i pajetë i Jan Prengës në familje do ishte lehtësim dhe për mua. Kur isha në shtëpinë e Jan Prengës, pashë që aty dhe kuzhinë nuk kishte. Djali i Janit, kur e përqafova, nuk më shikonte në sy, më tha “dua babin”. Ata ishin një familje e thjeshtë. Jan Prenga e pësoi vetëm pse vëllai i tij kishte marrë një sasi kokaine në Britaninë e Madhe. Nëse vëllai i tij e ka bërë këtë, të mbajë përgjegjësi, por s’mund të merret një njeri në atë mënyrë kriminale, është tepër e rëndë.
Si ndodhi rrëmbimi i Jan Prengës?
Jani Prenga u rrëmbye me 17 janar 2020 në Kamzë, disa ditë pasi ishte ndjekur e vëzhguar. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata të fundit mundën ta fusnin në një makinë Range Rover ngjyrë e bardhë. Automjeti me pengun brenda shkon në resortin Golden.
Në pamjet filmike shfaqen rrëmbyesit, duke fshehur provat si, pistoleta apo fenelina policie. Ndërkohë që trupi i Jan Prenges ndodhej i pajetë në tokë.
Sipas gjykatës, Jan Prenga qëndron pa lëvizur nga ora 11.32 deri ne 18.12 minuta. Pas kësaj ore rrëmbyesit mbështjellin me qese e çarçaf dhe e fusin në një furgon të bardhë
Fesim Bexhdili është njeri nga personat që asgjësoi kufomën. Të nesërmen Bexhdili dhe Olsi Turja pastrojnë gjurmët e krimit në garazh.
Gjykata ka krijuar bindjen se Jan Prenga u rrëmbye pasi vëllai i tij Astriti kishte grabitur një sasi të madhe kokaine në një port të Britanisë së Madhe. Për të kthyer drogës Dritan Rexhepaj që ndodhej atëkohë në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador e Gentian Docaj
Funiqi udhëruan të merrej peng babai i 3 fëmijëve.
Astrit Prenga e ktheu një sasi kokainë dhe pagoi një shumë të madhe parash, por rrëmbyesit nuk e liruan pengun.