Sot 11 janar ka nisur procesi për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës në zgjedhjet parlamentarë të 11 majit, në mënyrë që ata të kenë mundësinë të votojnë nga shteti ku jetojnë.
Burime bëjnë me dije se deri më tani 339 shtetas shqiptarë kanë aplikuar në Programin për Regjistrimin e Emigrantëve (PER), për te marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
Aplikuesit me të shumtë janë nga Gjermania, Italia, Britania dhe Greqia.
Sot nis procesi i regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe duan të votojnë më 11 maj. Faqja zyrtare kqz.gov.al hapi sot seksionin e regjistrimit të emigrantëve për të votuar nga jashtë vendit. Çdo emigrant që më 11 maj ka të drejtën për të votuar, duhet të regjistrohet ‘online’, në mënyrë që marrë pjesë në procesin e parë zgjedhor në vend, ku merr pjesë edhe diaspora.
Regjistrimi kërkon një pajisje elektronike, të çfarëdoshme, që mjafton të ketë internet dhe një kamera. Si fillim, emigranti duhet të krijojë një llogari në sistem, duke përdorur një numër telefoni, ose një ‘email’, si dhe të dhënat personale, nga ditëlindja, vendlindja, numri personal.
Llogaria krijohet vetëm duke treguar zgjedhësi fytyrën e tij të gjallë përpara kamerës, për të shmangur votimet familjare apo përmes personave të tjerë. Pasi krijon llogarinë, votuesi duhet të dërgojë një kërkesë po në këtë sistem, ku i duhet një dokument identifikimi shqiptar. Në momentin e regjistrimit, pasaporta ose karta pranohen edhe nëse iu ka skaduar afati. Dokument tjetër me rëndësi, është një vërtetim se personi banon aty ku thotë. KQZ pranon dokumente të shumëllojshme, nga dokumentet e pronësisë, tek qiramarrjet apo faturat e ujit, gazit, energjisë, apo çdo abonim tjetër, përfshirë dhe dokumentet bankare. Adresa është e rëndësishme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i dërgojë fletën e votimit aty ku ai jeton.
Brenda 5 ditësh, KQZ-ja do ta informojë emigrantin, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri.