Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner ka reaguar lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho.
Bergner shprehet se lufta kundër korrupsionit dhe krimit është e rëndësishme për Gjermaninë dhe gjithashtu për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Më tej Bergner duke i uruar sukses në detyrë Brahos dhe prokurorëve të SPAK, shton se ndjehet mirënjohës edhe ndaj KLP-së për procesin transparent në zgjedhjen e kreut të ri.
Reagon ambasadori gjerman:
Urime drejtuesit të ri të zgjedhur sot të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të cilin ne e mbështesim. Për punën e rëndësishme të SPAK-ut mbeten thelbësore integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës.
I uroj shumë sukses Klodian Brahos dhe të gjithë punonjëseve e punonjësve të SPAK-ut në detyrën e tyre ambicioze, si dhe një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Mirënjohja ime sot shkon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin transparent të zgjedhjes dhe për të gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, të cilat çdo ditë kontribuojnë për shtetin e së drejtës.


