Policia e Elbasanit ka finalizuar një operacion kundër krimeve ekonomike dhe financiare, të koduar “Bankrupt”. Si rezultat i këtij operacioni janë ekzekutuar masat e sigurisë ndaj katër shtetasve, të dyshuar për përfshirje në një skemë të qëllimshme falimentimi të disa bizneseve fason, me synim shmangien e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tre nga të ndaluarit, mes tyre edhe një shtetas italian, janë arrestuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa një tjetër është vendosur në “arrest shtëpie”.
Në kuadër të këtij hetimi, me vendim të Gjykatës së Elbasanit, datë 2 qershor 2025, është urdhëruar vendosja e sekuestros preventive mbi 7 subjekte tregtare (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të lidhura me këto biznese.
Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit kanë bashkëpunuar ngushtësisht për të çuar në faliment të qëllimshëm këto biznese, me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve fiskale dhe mashtrimin e institucioneve shtetërore.
Njoftimi:
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Bankrupt”.
Çuan me dashje në falimentim, 7 fasoneri, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, ekzekutohen masa sigurie për 4 shtetas.
Njëri nga të akuzuarit, shtetas italian, u kap në PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.
Gjithashtu, vihet sekuestro konservative mbi 7 subjektet dhe 12 llogari bankare të tyre.
Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025, për:
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për:
shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;
shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;
shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.
Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.