Në ambientet e Kadastrës së Vlorës është kryer sot paketimi i të gjithë dokumentacionit të hipotekës, me qëllim transferimin e tij drejt Tiranës.
Sipas burimeve, kjo lëvizje vjen pas përçarjeve të brendshme mes punonjësve të institucionit.
Si pasojë, është vendosur që dosjet dhe baza materiale të transferohen në Tiranë, nën masa të rrepta sigurie. Po ashtu, edhe disa prej punonjësve pritet të transferohen, ndërsa të tjerë mund të japin dorëheqjen.
Burime brenda institucionit bëjnë me dije se disa punonjës, ndoshta për shkak të kërcënimeve apo detyrimeve të tjera, janë detyruar të pranojnë kushtet e zhvendosjes.
Rreth orës 14:00 të ditës së sotme, baza materiale dhe dosjet e Kadastrës së Vlorës kanë nisur të transportohen drejt Tiranës. Procesi po zhvillohet nën shoqërimin e forcave të Policisë, ndërsa dokumentacioni po ngarkohet në një kamion.


