Ashtu siç u lajmërua, nga sot do të nisë zbatimi i urdhrit të prerë nga Kryeministri Edi Rama për ndëshkimin e të gjithë atyre që tregtojnë mallra pa fatura tatimore.
Duke nisur nga ata që tregtojnë qumësht në rrugë. Bëhet fjalë për një aksion të përqendruar në tregjet e produkteve ushqimore, kryesisht të mishit dhe bulmetit, ku është konstatuar se informaliteti vazhdon të jetë në nivele të larta, duke dëmtuar konkurrencën e ndershme, sigurinë ushqimore dhe të ardhurat publike.
Urdhri i Kryeministrit është pasuar me një paralajmërim të qartë dhe të fortë nga ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ajo e Bujqësisë, Anila Denaj që nga kjo e hënë, të gjitha produktet që tregtohen pa faturë të sekuestrohen menjëherë. Aksioni do të shoqërohet me inspektime intensive dhe me angazhimin personal të vetë ministrave në terren, në tregje dhe pika të shumicës.
INSPEKTIMI
“Fatura tatimore nuk është një letër pa vlerë, por një garanci për konsumatorin dhe një detyrim ligjor për sipërmarrësin. Të gjithë ata që tregtojnë mish apo bulmet pa faturë do të përballen me masa të rënda, përfshirë sekuestrim të mallit dhe ndëshkime të tjera administrative e penale”, – deklaroi ministrja Denaj në një dalje për mediat nga një treg në Tiranë. Ministri Malaj, nga ana tjetër, theksoi se inspektimet nuk do të jenë fushata sporadike, por pjesë e një angazhimi të përhershëm për formalizimin e sektorit agroushqimor.
“Nuk mund të pranojmë më që prodhimet që konsumojmë të mos kenë asnjë gjurmueshmëri. S’ka më ‘e mora nga fshati’ si justifikim për mungesën e faturës. Të gjithë duhet të pajisen me dokumentacion dhe të regjistrohen siç e kërkon ligji”, – u shpreh Malaj.
Masat nuk do të kufizohen vetëm në inspektime të operatorëve të tregtisë, por do të shtrihen edhe në pikat e prodhimit dhe përpunimit. Çdo hallkë e zinxhirit, nga fermeri te konsumatori, do të duhet të dokumentojë me fatura shitjen dhe blerjen e mallrave. Sipas qeverisë, qëllimi nuk është ndëshkimi i shitësve të vegjël apo fermerëve të ndershëm, por ndërprerja e praktikave të paligjshme që deformojnë tregun dhe rrezikojnë shëndetin publik.
“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që ka bujqësia dhe tregtia e produkteve të freskëta, por nuk mund të tolerohet më informaliteti. Kush nuk pajiset me faturë, do të dalë nga tregu”, – u shpreh Denaj.
INFORMALITETI
Ky aksion shënon një tjetër përpjekje të qeverisë për të disiplinuar tregun dhe për të nxitur fiskalizimin në të gjitha nivelet. Në qendër të kësaj nisme është edhe vetë konsumatori, i cili ftohet të kërkojë faturën në çdo rast dhe të raportojë çdo abuzim. Zbatimi i urdhrit nis këtë të hënë dhe pritet të shoqërohet me kontrolle të përditshme, si në Tiranë ashtu edhe në qarqet e tjera të vendit.
Ministrat kanë paralajmëruar se nuk do të ketë as tolerim e as paralajmërime për këdo që kapet në shkelje – vetëm ndëshkim dhe sekuestrim. Një epokë e re disipline fiskale pritet të vendoset mbi tryezat e tregjeve shqiptare./Gazeta Panorama