Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Fast reaction”, pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në zonën e Institutit, ku një konflikt mes disa personave degradoi në përdorim armësh zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, 7 shtetas janë identifikuar si të përfshirë në konflikt. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Komisariati Nr. 3:
– U arrestua në flagrancë shtetasi Y. C., 30 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”;
– U proceduan në gjendje të lirë shtetasit M. M. dhe M. S., për “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje”;
– U shpallën në kërkim katër shtetas: S. Rr., 22 vjeç, E. Rr., 25 vjeç (vëllezër), R. D., 18 vjeç dhe V. H., 27 vjeç.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti nisi për motive të dobëta, ku vëllezërit S. Rr. dhe E. Rr. dyshohet se goditën me qytën e armës shtetasit Y. C. dhe O. C. (vëllezër), dhe më pas qëlluan me armë zjarri në drejtim të tyre, pa i lënduar.
Në përkrahje të tyre, dyshohet se janë përfshirë edhe R. D., V. H., M. M. dhe M. S., të cilët goditën me sende të forta dhe grushte shtetasin A. C., 38 vjeç, dhe kërcënuan me armë zjarri shtetasin A. H., 48 vjeç, kushërinj të vëllezërve Y. C. dhe O. C.
Gjatë operacionit u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe tre automjete.
Policia po vijon punën për kapjen e katër personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast reaction”, për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në Institut.
Identifikohen 7 shtetas të përfshirë në konflikt. Arrestohet në flagrancë 1, procedohen në gjendje të lirë 2 dhe shpallen në kërkim 4.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 3 automjete.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, dje, pas marrjes së njoftimit se në Institut, disa shtetas po konflikteshin dhe gjatë konfliktit ishte qëlluar me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të kryera në kuadër të operacionit “Fast reaction”, u identifikuan 7 shtetas shtetas të përfshirë në konflikt. Në vijim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan në flagrancë shtetasin Y. C., 30 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M. dhe M. S., për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”;
-shpallën në kërkim shtetasit S. Rr., 22 vjeç dhe E. Rr., 25 vjeç (vëllezër) R. D., 18 vjeç dhe V. H., 27 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasit S. Rr. dhe E. Rr. kanë goditur me qytën e pistoletës shtetasit Y. C. dhe O. C. (vëllezër) dhe më pas kanë qëlluar me armën e zjarrit në drejtim të tyre, pa i dëmtuar.
Vëllezërit S. Rr. dhe E. Rr. dyshohet se janë ndihmuar nga shokë të tyre të identifikuar si R. D., V. H., M. M. dhe M. S., të cilët kanë goditur me grushte dhe me sende të forta shtetasin A. C., 38 vjeç, si dhe dyshohet se kanë kanosur me armë zjarri shtetasin A. H., 48 vjeç, të dy kushërinj të vëllezërve Y. C. dhe O. C.
Punohet për kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.