Detaje tronditëse kanë dalë nga hetimet për vrasjen makabre të 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, e cila u gjet pa jetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët. Sipas hetimeve paraprake, viktima është mbytur dhe më pas goditur me thikë, ndërsa autori i dyshuar, Ilirjan Selmani, dyshohet se ka tentuar të inskenojë ngjarjen si një aksident.
Burimet hetimore bëjnë me dije se Selmani – me të cilin viktima kishte një lidhje intime – ka përdorur peshqirë dhe kartpeceta për të pastruar gjurmët e gjakut, të cilat më pas u gjetën në koshin e mbeturinave pranë pallatit. Pikërisht këto prova, bashkë me pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, e çuan policinë te i dyshuari.
Policia konfirmon se janë ndezur disa vatra zjarri brenda banesës me qëllim për të zhdukur çdo gjurmë dhe për ta paraqitur ngjarjen si një vdekje aksidentale nga zjarri. Por ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar të kundërtën: shenjat e dhunës dhe goditjet me mjet prerës, e përjashtojnë një rast të tillë.
Ilirjan Selmani është shoqëruar nga policia dhe dërguar në vendin e ngjarjes për të kryer eksperimentin hetimor. Edhe pse ka mohuar përfshirjen, provat e mbledhura po ngushtojnë rrethin ndaj tij, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht motivin dhe dinamikën e vrasjes që ka tronditur qytetin.