Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 gusht në fshatin Mollaj të Korçës, ku 28-vjeçari A. Kodra u godit me thikë dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Sipas të dhënave zyrtare, autori i dyshuar, 41-vjeçari Aleks Qiqi, e goditi të riun pas një konflikti për motive të dobëta. Menjëherë pas plagosjes, katër persona ndërhynë dhe e goditën me grushta Qiqin, duke i shkaktuar dëmtime në kokë dhe trup. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në pranga kanë përfunduar:
• Aleks Qiqi, 41 vjeç, banues në Mollaj – i akuzuar për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
• I. D., 45 vjeç;
• Th. P., 47 vjeç;
• Dh. K., 47 vjeç;
• B. S., 33 vjeç – të katërt banues në Mollaj, të dyshuar për “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Policia ka sekuestruar mjetin prerës (thikën), një celular dhe pamjet filmike të momentit të përplasjes. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Korçës për vijimin e procedurave ligjore.