Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Mat, ku 23-vjeçari Renis Dobra u gjet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se i riu kishte plagë në trup dhe shenja dhune në zonën e fytit, duke ngritur dyshime të forta për rrëmbim dhe vrasje.
Policia ende nuk ka dhënë një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar detajet.
Sipas gazetarit Enver Doçi, kamerat e sigurisë përgjatë rrugës kanë kapur një automjet që shoqëronte makinën e Renis Dobrës nga fshati Zenisht deri në qytetin e Burrelit. Megjithatë, nga Burreli deri në vendin ku u gjet trupi i pajetë, nuk ka kamera sigurie, çka e vështirëson ndjeshëm zbardhjen e itinerarit dhe rrethanave të ngjarjes.
Babai i viktimës kishte denoncuar zhdukjen e të birit mbrëmjen e së martës (8 korrik), rreth orës 21:30, duke deklaruar në polici se prej tre orësh nuk kishte më asnjë kontakt me të.
Pas disa orësh kërkime, trupi i pajetë i të riut u gjet pranë liqenit të Shkopetit dhe u transportua në morg për ekspertizë të mëtejshme. Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur autorët dhe motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë.