Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Ekrem Spahiu, ka folur lidhur me zaptimin e godinave të Focus Media News dhe Panorama Group nga kompania “KAYO” .
Në një konferncë për mediat, ai deklaroi se me News24 dhe sjelljen e policies po tentohet të asgjësohet kompleksi mediatik dhe karriera e shumë gazetarëve.
Spahiu tha gjithashtu se LZHK po e ndjek me shumë vemëndje dhe shqetësim, situatën e “Focus Media Group”.
Deklaratë për media
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” po e ndjek me shumë vemëndje dhe shqetësim, situaten e “Focus Media Group”. Qeveria me arrogancën e saj po mundohet të asgjësoj jo vetëm kompleksin mediatik por edhe karrierën e shumë gazetarëve dhe gjithë stafit.
LZHK vlerëson shumë solidaritetin e plotë të Organizatave dhe Qendrave ndërkombëtare për lirinë e medias që kanë shprehur për gazetarët e “Focus Media Group”. Sipas tyre, “… nuk janë shkelur thjeshtë të drejtat e gazetarëve por është shkelur edhe pluralizmi i informimit në Shqipëri. Kjo është një ndër arsyet se pse Shqipëria renditet aq ulët në indeksin tonë”.
Shqipëria gjatë kësaj jave, si asnjëherë tjetër më parë është përfshirë nga zjarre masive, ku u dogjën me mijëra hektarë pyje, kullota dhe drufrutorë. Sikur të mos mjaftonte kjo katastrofë mjedisore, humbi jetën dhe një i moshuar, ndërkohë që shumë qytetarë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme apo u plagosën. U dogjën shtëpi, objekte, stalla, gjë e gjallë, bletari e çdo gjë që mori zjarri përpara.
Natyrisht që janë edhe pasojat e ngrohjes globale, ku temperaturat gjatë këtyre viteve të fundit kanë qenë tmerrësisht të larta, si pasojë e të cilave mjafton një shkëndijë për të përfunduar në zjarr masiv. Edhe pakujdesia sjell pasoja shumë të rënda. Por ajo që nuk mund të tolerohet është se shumica dërmuese e tyre, rezultojnë të jenë zjarrvënie të qëllimshme, të organizuara për interesa kriminale, ku nga më kryesoret mund të veçojmë:
• Zjarrvënie për interesa ndërtimore të mafies së pronave, për të hapur rrugë të reja për ndërtime pa leje si vila, resorte, etj, veçanërisht në zonat turistike dhe malore.
• Zjarrvënie për të zgjeruar aktivitetin e nxjerrjes së gurëve apo materialeve ndërtimore.
• Zjarrvënie për ripërtëritje të kullotave.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh qëndrimin e saj se, shteti e ka detyrë me ligj për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile. Prandaj shteti ka përgjegjësi shumë të madhe.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” sugjeron që tëmarren këto masa:
• Kreu i shtetit të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
• Të vendoset gjendja e fatkeqësisë natyrore në zonat më të prekura.
• Dëmshpërblimin e plotë për gjithshka, sipas ligjit për të gjithë të dëmtuarit nga djegiet.
• Qeveria të informojë Kuvendin e Shqipërisë për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten, masat e marra për menaxhimin e situatës, sidomos për masat rehabilituese për komunitetet e prekura
• Qeveria të informojë Kuvendin, opinionin publik dhe mediat se si po ecet me “Strategjinë kombëtare për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë”, se ku përfundojnë fondet e alokuara për këtë qëllim, posaçërisht për fatkeqësitë e natyrës së zjarreve masive.
• Mobilizimin maksimal të kapaciteteve të emergjencës dhe mbrojtjes civile.
• Të zhvillohen hetime të thelluara për autorët dhe nxitësit.
• Të ashpërsohet ligji për dënimin e zjarrvënësve dhe nxitësve të tyre.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” mendon se shteti nuk duhet të mbetet thjesht apo vetëm te menaxhimi i fatkeqësisë, por të marrë rolin që i takon për të ndërtuar vizione dhe plane veprimi perspektiv që fatkeqësitë të parandalohen në maksimumin e mundshëm, duke këmbëngulur veçanërisht në zbatimin e ligjit “Për Pyjet”, për mbrojtjen e tyre si pasuri me rëndësi të veçantë, për vlerat e mëdha dhe të pazëvendësueshme në mbrojtjen e klimës, të tokës, ruajtjen dhe përmirësimin e potencialeve prodhuese, të ekuilibrave të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve energjitike dhe regjimit hidrik, si detyrime me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, shpreh vlerësim e mirënjohje për të gjithë efektivët e Forcave Ushtarake, zjarrfikësit, pilotët si dhe ekipet e Urgjencave, të cilët u përballën me situatat shumë të rënda nga zjarret. Një falenderim të veçante kemi edhe për vendet mike që na ndihmuan me mjete ajrore për fikjen e zjarreve.
Në të njëjten kohë ”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, nuk mund të hesht dhe të mos shpreh indinjatën e saj për trajtimin çnjerzor që j’u bëhet zjarrëfiksëve, ku pas shumë orëve në luftë me zjarrin, flenë rrugëve në tokë. Ato pamje që po bëjn xhiron e botës na turpërojnë si shtet.
https://www.panorama.com.al/tv/live_youtube.php