Duke folur për “UEFA.com”, trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso bëri prognozën e finales së Ligës së Evropës kundër Atalantës, e planifikuar për sonte në Dublin. Për kalimin nga lojtar në trajner:
“Si lojtar kam qenë shumë i interesuar për futbollin në përgjithësi, kam studiuar kundërshtarët, përgatitjen dhe jam munduar të kuptoj dinamikën e lojës. Si mesfushor, kjo më ndihmoi të zhvilloja dhe zgjeroja njohuritë e mia për futbollin.
Fillova të stërvitja U-13 te Real Madridi, më pas kalova tri vite duke trajnuar ekipin B të Real Sociedad. Tashmë jam në përvojën time të parë profesionale këtu në Leverkusen. Për momentin eksperienca gjermane po shkon mjaft mirë, është shumë e rëndësishme të krijosh besim dhe harmoni, ta bashkosh ekipin, duke zhvilluar një dinamikë të mirë ditore.
E gjithë kjo forcon përkushtimin e lojtarëve për të arritur objektivat e vendosura. Lojtarët do të bëjnë gabime patjetër, por nuk duhet t’i qortosh vazhdimisht”.
Për rekordin e pamposhtmërisë së Leverkusenit: “Mendoj se kjo është falë vazhdimësisë dhe nivelit të performancës, nivelit mendor dhe përqendrimit të ekipit. Përsa i përket mentalitetit dhe nivelit të përqendrimit, skuadra praktikisht nuk ka pasur asnjë pengesë apo moment negativ gjatë ndeshjeve. Kjo na ka mundësuar që të kemi një sezon të jashtëzakonshëm.
Mbi mbylljen e sezonit pa humbje: “Do të ishte historike jo vetëm për klubin tonë, por ndoshta për të gjithë futbollin evropian. Shpresojmë një epilog pozitiv për ne”.
Mbi Atalantën, kundërshtaren e finales së Dublinit: “Do të jetë një ndeshje shumë intensive, ndaj një kundërshtari shumë të fortë, me ide shumë të qarta, me një trajner që është aty prej kohësh, me lojtarë që janë bashkë prej shumë vitesh dhe që njihen mirë. Do të luajmë duke vendosur idetë tona në fushë. Do të përdorim lojën dhe entuziazmin tonë për ta fituar edhe këtë finale”.