Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë bllokuar Ukrainën nga përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja për të goditur objektiva brenda Rusisë që nga fundi i pranverës, si pjesë e një përpjekjeje të administratës Trump për të bindur Vladimir Putinin të angazhohet në bisedime paqeje, sipas një raporti të së shtunës.
Wall Street Journal raporton se Pentagoni e ka bllokuar Ukrainën nga përdorimi i Sistemeve të Raketave Taktike të Ushtrisë, ose Atacms, të prodhuara në SHBA.
Dy zyrtarë amerikanë i kanë thënë gazetës se në të paktën një rast, Ukraina kishte kërkuar të përdorte Atacms kundër një objekivi, por i ishte mohuar, sipas një “mekanizmi shqyrtimi” të zhvilluar nga Elbridge Colby, nënsekretari i Pentagonit për politikën, që rregullon se si mund të përdoren armët me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së ose ato të ofruara nga aleatët evropianë që mbështeten në inteligjencën dhe komponentët amerikanë.
Procesi i shqyrtimit vlen edhe për raketën Storm Shadoë të Britanisë, sepse varet nga të dhënat e synimit të SHBA-së, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një zyrtari britanik, ka raportuar Journal.