Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se presidenti i vendit Hashim Thaçi sot në takimin me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka përmendur kufizimin kohor, e aq më pak afatin prej 48 orëve.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky kufizim kohor nuk ka bazë kushtetuese.
“Sot, si Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, isha pjesëmarrës në takimin e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti, me Presidentin e Republikës së Kosovës. Mund të them që në asnjë moment Presidenti nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kadidatit/es për Kryeministër, e aq më pak afatin prej 48 orëve”, ka shkruar Ahmeti, përcjell lajmi.net.
Sipas Ahmetit, ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm, nuk ka bazë kushtetuese.
“Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë sonë do të marrim vendim, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe mandej do t’ia dërgojmë zyrtarisht e me shkrim Presidentit propozimin tonë”, ka shkruar tutje ai. /Lajmi.net/


