Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë në ambientet e Urgjencës së QSUT-së, i paraburgosuri Besnik Koçiu, 50 vjeç, i cili ndodhej në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja”.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 07:00, personeli infermieror është vënë në dijeni se Koçiu ishte pa ndjenja në dhomën e tij. Ai është transportuar menjëherë drejt QSUT-së, ku ka mbërritur në orën 07:12 dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor. Pavarësisht përpjekjeve për reanimacion, në orën 08:00 është konstatuar vdekja e tij.
Koçiu ishte në paraburgim prej datës 16 korrik 2025, i transferuar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës në IEVP “Jordan Misja”. Gjatë pranimit, ai kishte raportuar probleme serioze shëndetësore, përfshirë diabet, hipertension dhe një episod ishemik (AVC) të kaluar gjashtë muaj më parë.
Për të ishte nisur ndjekja mjekësore dhe i ishte hapur një kartelë shëndetësore për trajtim të specializuar.
Autoritetet kanë njoftuar se do të ndiqet procedura ligjore për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Njoftimi:
Më datë 24 korrik 2025, rreth orës 08:00, në ambientet e Urgjencës së QSUT-së, ka ndërruar jetë i paraburgosuri Besnik Koçiu, i datëlindjes 26.10.1974, i cili ishte i akomoduar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja” që prej datës 16 korrik 2025, ardhur nga Drejtoria e Policisë Tiranë.
Rreth orës 07:00 të datës 24 korrik, personeli infermieror është njoftuar se shtetasi Koçiu ishte pa ndjenja në dhomën e tij. Ai është transportuar menjëherë me urgjencë në QSUT në orën 07:08, ku ka mbërritur në orën 07:12 dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor i urgjencës. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, në orën 08:00 është konfirmuar ndarja nga jeta.
Shtetasi Koçiu në momentin e pranimit në institucion ka deklaruar se vuante nga Diabet Mellitus, Hipertension Arterial dhe një AVC ishemik të kaluar rreth gjashtë muaj më parë, për të cilat kishte terapi të vazhdueshme referencë për të cilën i është hapur dhe kartelë mjekësore për kryerjen e ekzaminimeve të vazhdueshme.
Shtetasi Koçiu ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”.
Ngjarja është referuar menjëherë autoriteteve përkatëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit.