Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka dënuar me burgim të përjetshëm Kristjan Cenajn, i cili u shpall fajtor për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, në lidhje me vrasjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, ndodhur në vitin 2015.
Ngjarja tronditëse ndodhi më 18 maj 2015, kur Kristjan Cenaj, në atë kohë 20 vjeç, dyshohet se vrau mikun e tij të mitur për të përfituar sende me vlerë që ai kishte me vete, përfshirë një orë dore të markës “Rolex” dhe një varëse floriri.
Eshtrat e Gjonajt u gjetën shtatë vite më vonë, më 3 prill 2022, në zonën e quajtur “Shëllinx” në Fushë Kuqe, Kurbin, pranë një hidrovor. Ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se kockat i përkisnin viktimës, ndërsa u evidentuan dëmtime të shkaktuara nga mjete të forta.
Kristjan Cenaj u arrestua në maj të vitit 2022, vetëm pak minuta pasi kishte marrë pjesë në dasmën e të vëllait të tij në Kurbin. Ai ishte ardhur nga Italia për këtë rast familjar. Policia e kishte vendosur në sistemin TIMS si person në kërkim, duke i ndaluar daljen nga territori shqiptar.
Si u zbardh ngjarja
Në datën 19 maj 2015, xhaxhai i viktimës, F. Gj., denoncoi zhdukjen e Mariglen Gjonajt në Komisariatin e Policisë Kurbin. Hetimet fillimisht u nisën për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, por më pas dosja kaloi në Prokurorinë për Krimet e Rënda, për shkak të rrethanave dhe moshës së viktimës.
Për shkak të mungesës së provave, hetimet u pezulluan dhe dosja iu kalua strukturave të Policisë në Lezhë. Zhvillimi i ri në prill të vitit 2022, me gjetjen e eshtrave të Mariglen Gjonajt, çoi në rifillimin e hetimeve. Autoritetet përdorën dëshmi të reja, ballafaqime, tabulate telefonike dhe të dhëna nga rrjetet sociale, për të identifikuar Kristjan Cenajn si autorin e dyshuar.
Në përfundim të hetimeve dhe procesit gjyqësor, Gjykata vendosi dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për Cenajn.