Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm zbut dënimin për Azgan Mërnicën, autorin e vrasjes të punonjësit të policisë, Novruz Cenalia. Ai ishte dënuar nga gjykata e Fierit me burgim të përjetshëm, por shkalla e dytë e gjyqësorit caktoi ndaj tij dënimin me 35 vite burgim, çka ka sjellë reagimin e ashpër të familjareve të efektivit të policisë.
Ngjarja ndodhi me 13 maj 2024 në Fier, kur efektivi i policisë Novruz Cenaliaj, 28 vjeç, po shkonte në punë me makinë e tij, kur u përball me 23 vjeçarin Mernica. Nga hetimet rezultoi se konflikti mes tyre nisi pasi efektivi i policisë e kritikoi për shpejtësinë më të cilën Mërnica po udhëtonte në rrugë. Pas një debate verbal, Azgan Mernica qëlloi ndaj Cenaliajt duke e lënë vrarë. Kamerat e sigurisë së një lokali në atë pjesë të rrugës filmuan ngjarjen.
2 vite më vonë, gjykata e apelit ka shpëtuar nga burgimi I përjetshëm autorin e ngjarjes. Pas këtij vendimi reagoi edhe Ministri e Brendshëm, Besfort Lamallari.
Ai e cilësoi këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, si dhe kërcënon rendin ligjor dhe vetë shtetin.
“Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor. Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë”, thekson Lamallari.


