Policia e Shtetit njofton se ka ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë, një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve, në Vlorë. Bëhet fjalë për shtetasin Gerti Selimaj, 47 vjeç, banues në Vlorë.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të vendimit penal të datës 09.02.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit luftarak”, tha Policia e Shtetit.
Pas ekstradimit në Shqipëri, Specialistët e Hetimit të Krimit në DVP Vlorë bënë ekzekutimin e urdhrit të prokurorit, në zbatim të vendimit penal për masën e sigurisë, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, më datën 09.02.2021.
Për çfarë akuzohet Gerti Selimaj:
Gerti Selimaj akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, Beqir dhe Elmaz Hasho ngjarje e ndodhur në periferi të Vlorës në vitin 1998. I arrestuari u përball me dy vëllezërit për sulmin ndaj një të afërmi të tij dhe, pas një sherri, i qëlloi për vdekje.
46-vjeçari shqiptar, i dënuar, u arrestua gjithashtu në komunën e Martina Franca në 2015 për vrasje në tentativë.
Në këtë episod të fundit, të mbështetur nga vëllai i tij i vogël, për arsye ekonomike, ai goditi me thikë një nga bashkatdhetarët e tij, duke e plagosur rëndë në bark. 47-vjeçari u dërgua në burgun Taranto në pritje të procedurave ndërkombëtare të ekstradimit për në Shqipëri.
Njoftimi i policisë për zbardhjen e ngjarjes:
Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë. Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në vitin 1998, në Vlorë. Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë.
Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 2 vëllezër, shtetasit B. H. dhe E. H.
Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasit: G. S., 47 vjeç, të cilit Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Vijon puna intensive për lokalizimim dhe arrestimin e këtij shtetasi.



