Pas vrasjes së rëndë të 14-vjeçarit Erald Xhejo në fshatin Pirg të Maliqit, familja e autorit të dyshuar Enedio Guri ka braktisur banesën në fshatin Leminot për arsye sigurie.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa babai dhe xhaxhai i adoleshentit, Edison dhe Roland Guri, 44 vjeç, ndodhen pas hekurave, të akuzuar për fshehjen e armës së krimit – thikës me të cilën Enedio goditi bashkëmoshatarin e tij në zemër.
Ndërkohë, autori ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike, çka ka penguar marrjen e dëshmisë së tij nga grupi hetimor. Pritet që deklarimi të bëhet në praninë e avokatit, psikologut dhe familjarëve.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja e Erald Xhejos ka ardhur nga një goditje e vetme me thikë në zemër. Konflikti mes dy adoleshentëve mësohet se kishte nisur rreth një vit më parë, dhe u përshkallëzua pas një përballjeje rastësore në një lokal, që filloi me fjalët: “Pse më shikon?”.
Nga veprimet hetimore janë arrestuar gjithsej 8 persona, përfshirë autorin, babanë dhe xhaxhain e tij, një 34-vjeçar që tentoi të largohej me ta, si dhe 4 të mitur të pranishëm në vendngjarje, të cilët tentuan të pengojnë hetimin përmes deklaratave të rreme.
Policia ka sekuestruar thikën me të cilën u krye krimi, automjetin e përdorur për t’u larguar dhe 5 aparate celularë. Lokali ku ndodhi ngjarja është mbyllur, edhe pse veprimet hetimore janë përfunduar.
https://youtube.com/watch?v=Nr3_Vv0LGhw%3Fsi%3DJ_uYvSOV0xnTVvMI
Njoftimi:
Maliq/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg.
Për këtë rast, Policia e Korçës arrestoi 8 shtetas:
-14-vjeçarin autor të dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet;
-babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi;
-4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;
-një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Sekuestrohen mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.