Enedio Guri, adoleshenti që goditi me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij, Erald Xhejo, ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike dhe deri më tani nuk ka dhënë dëshmi përpara grupit hetimor.
Burime nga Policia bëjnë me dije se marrja në pyetje e tij pritet të ndodhë sot (15 gusht), në prani të avokatit, psikologut dhe familjarëve, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për “vrasje me dashje”. Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e një goditjeje të vetme me thikë, në zemër.
Ngjarja tragjike ndodhi një ditë më parë, në një lokal në fshatin Pirg të Maliqit, ku Enedio dhe Eraldi janë përballur rastësisht. Të dy ishin të shoqëruar nga shokët e tyre, disa prej të cilëve tashmë janë arrestuar për moskallëzim të krimit dhe veprime që pengojnë të vërtetën.
Sipas hetimeve, konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur rreth një vit më parë, ndërsa përplasja fatale erdhi pas një shprehjeje të zakonshme: “Pse më shikon?” – që u pasua nga përdorimi i armës së ftohtë që Enedio kishte me vete.
Menjëherë pas krimit, 14-vjeçari tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes me makinë. Ndërkohë, xhaxhai i tij, Roland Guri, ka ndërhyrë për të zhdukur provat, duke larë thikën dhe më pas e ka fshehur, veprim për të cilin tashmë është vënë në pranga për pengim të drejtësisë.
Njoftimi:
Maliq/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg.
Për këtë rast, Policia e Korçës arrestoi 8 shtetas:
-14-vjeçarin autor të dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet;
-babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi;
-4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;
-një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Sekuestrohen mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.