Gjykata për të mitur në Bolonjë ka dënuar me 17 vite burg një 16-vjeçar të akuzuar për vrasjen e shqiptares Aurora Tila, 13-vjeçares që humbi jetën pasi ra nga ballkoni i apartamentit të saj në katin e shtatë në Piacenza, më 25 tetor 2024.
I pandehuri, i cili kishte pasur një lidhje me viktimën, e cila më vonë e kishte ndërprerë marrëdhënien, u gjykua me procedurë të shkurtuar, çka i siguron një ulje të një të tretës së dënimit. Prokurori kishte kërkuar 20 vite e 8 muaj burg, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar shfajësimin e plotë.
Sipas akuzës, të cilën Gjykata e pranoi, ishte pikërisht i riu, atëherë 15 vjeç, ai që e shtyu Auronën nga ballkoni pas një zënke. Kur vajza ishte përpjekur të mbahej pas parmakut, ai e kishte goditur në duar me gjunjë për ta bërë të binte. Dëshmitarë të ndryshëm kanë rrëfyer se panë skenën tragjike.
Nga ana tjetër, mbrojtja e të pandehurit ka pretenduar se bëhej fjalë për një aksident ose një akt të vetëdijshëm nga vajza. Megjithatë, gjykatësit kanë pranuar të gjitha rrethanat rënduese, përfshirë stalking-un, pikë që u theksua edhe nga ekipi ligjor i nënës së vajzës, Morena Corbellini.
E vetmja rrethanë lehtësuese e pranuar për të riun, i cili ka mohuar gjithmonë akuzat dhe e ka shpallur veten të pafajshëm, ishte mosha e mitur. Arsyetimi i plotë i vendimit do të publikohet brenda 90 ditëve.
Reagimi i nënës së Aurora Tilës
Nëna e Aurora-s, Morena Corbellini, ishte si gjithmonë e pranishme në sallë.
“Jam e kënaqur me dënimin prej 17 vitesh, edhe pse do të kisha dashur të ishin 20. Por të paktën drejtësia u bë. Kam besuar gjithmonë te drejtësia, që në fillim,” – u shpreh ajo.
Corbellini konfirmoi gjithashtu se synon të krijojë një shoqatë në emër të vajzës së saj.
“Qëllimi i shoqatës do të jetë që situata të tilla të mos ndodhin më. Dua të udhëtoj, të informoj dhe të ndihmoj djemtë e vajzat që përballen me probleme të mos bien pre e personave si ai djalë që takoi vajza ime”, tha ajo.
Para dhënies së vendimit, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Corbellini deklaroi se ai e vrau vajzën e saj nga xhelozia dhe dëshira për ta pasur vetëm për vete.
“Pavarësisht nëse ka apo jo probleme mendore, ai e vrau Auronën sepse është një vrasës nga natyra. E vrau nga xhelozia? Mund të jetë. Por më shumë nga dëshira për ta zotëruar, sepse ajo i kishte thënë ‘jo’, nuk e donte më”, tha ajo.


