Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e biznesmenit, Edmond Mëhalla në Elbasan mbrëmjen e djeshme (30 nëntor).
Burime bëjnë me dije se makina e autorëve të dyshuar të krimit, ka qenë në pronësi të kompanisë së biznesmenit Mëhalla.
Raportohet se një nga autorët ka dalë nga mjeti tip Audi dhe iu është afruar biznesmenit që sapo kishte hipur në Range Rover duke qëlluar në drejtim të tij. Dy prej plumbave e kapën 43-vjeçarin në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë mjeti i autorëve u gjet në fshatin Marikë të Librazhdit, ndërsa brenda tij mësohet se nuk kishte armë.
“Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmë, ku mbeti i vrarë shtetasi M. M., alias E. H., 43 vjeç, ditën e sotme u konstatua në fshatin Mirakë, automjeti tip “Audi”, i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve”, informuan blutë.
43-vjeçari u ekzekutua brenda në automjetin tip Range Rover të parkuar pranë karburantit të tij, rreth orës 20:35, ku sapo kishte dalë nga zyra e tij, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij.
Në momentin që është futur në automjet, ai është qëlluar me armë zjarri duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Dyshohet për atentat mafioz
Dinamika ngjarjes është vlerësuar nga ekspertët si një ekzekutim tipik mafioz, por mund të rezultojë edhe vrasje për shkak të një konflikti të ndodhur mesjavën e fundit për motive ende të paqarta.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje, duke ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha daljet e qytetit. Vijojnë kontrollet intensive në terren, në banesa, ambiente të ndryshme dhe rrugë dytësore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Burime policore bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga atentatorët ka qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd, ku edhe u gjet i djegur në Mirakë.
E shkuara e 43 vjeçarit
Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Po ashtu, mësohet se ai ishte përfshirë në një konflikt disa ditë para vrasjes, pistë që po konsiderohet seriozisht nga grupi hetimor si e mundshme lidhur me motivin e ekzekutimit.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.


