Detaje të reja po dalin nga hetimet për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë mëngjesin e 9 korrikut në liqenin e Shkopetit. Gazetari i News24, Enver Doçi, raporton se autorët e dyshuar kanë ardhur nga Rrësheni me dy automjete tip Range Rover, me qëllim t’i bënin pritë dhe ta rrëmbenin të riun.
Ndërkohë, një makinë e tretë, që vinte nga Miloti, ka patrulluar në rrugën Milot-Burrel për rreth 12 kilometra për të kontrolluar terrenin dhe lëvizjet, duke shërbyer si makinë sinjalizuese për të garantuar rrëmbimin pa ndërhyrje.
Mësohet se për këtë ngjarje, pritet të shoqërohen 10 persona.
Ngjarja dhe hetimet
Babai i Renisit, pasi nuk ka mundur të lidhet me të birin për disa orë, ka shkuar në komisariat duke treguar se kishte humbur kontaktet me të. U tha se efektivët nisën menjëherë kërkimet, siç thuhet gjithnjë, por pa rezultat.
Dje u bë me dije se trupi i 23-vjeçarit Renis Dobra u gjet pranë liqenit të Shkopetit, në fshatin Madhesh të Matit. Automjeti me të cilin i riu kishte dalë nga shtëpia, dyshohet të ketë rënë në ujë, por ende nuk është gjetur.
Një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë po heton për një vrasje të mundshme, pasi në trupin e të ndjerit ka gjurmë të mbytjes me litar, pasi ka shenja të dukshme në qafë. Kështu dyshon polica, por do të jetë mjekësia ligjore, që do të hedhë dritë mbi mënyrën se si iu ka marrë jeta të riut. Mirëpo pas arritjes në konkluzionin se Renisi mund të jetë vrarë, policia ka bërë me dije se ka arritur të zbardhë një pjesë të mirë të dinamikës.