I dyshuari si një nga bashkëautorët e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së seancave të Gjykatës së Apelit Tiranë më 6 tetor 2025, kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Gjon Shkambi, i cili është edhe pretenduesi i pronave në Shkodër ku janë strehuar mbi 30 familje dhe në proces gjyqësor prej më shumë se dy dekadash, ka kërkuar ndryshim të masës së sigurimit në Gjykatën Penale të Tiranës, ku mohon përfshirjen në krimin që ka të dyshuar për autor kryesor nipin e tij, Elvis Shkambi.
I arrestuari Shkambi prentendon se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në paraburgim.
Gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë në sallën e gjyqit pikërisht në momentin që dha një nga vendimet e radhës që rrëzonte familjen Shkambi dhe i jepte të drejtë familjeve për të qëndruar në godinat e vjetra në qytet, të pretenduara nga autorët e dyshuar si trashëgimi.
Ai u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi teksa po shpallte një vendim gjyqësor për një çështje pronësie ku ishin të përfshirë familjarët e autorit.
Kalaja u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ai nuk mundi të mbijetojë.
Policia arrestoi autorin në ambientet e gjykatës. Para hetuesve ai pranoi krimin duke deklaruar se shkak për të ishte bërë çështja e një prone në Shkodër, teksa u sekuestruan arma dhe pamjet filmike.
Dyshime të forta u ngritën edhe për kushtet e sigurisë në gjykatë, që çuan në arrestimin e punonjësit të turnit atë ditë.


