Në vijim të hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme pranë rrethrrotullimit të aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy efektivë të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, janë ndaluar Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor A.Z., me detyrë Ndihmës/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Të dy këta punonjës policie dyshohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Hetimet e deritanishme tregojnë se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përpiluar në mënyrë të parregullt “Vërtetimin e Besueshmërisë” për Muçi Shaljani, duke mos pasqyruar të dhëna që përbënin shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.
Muçi Shaljani ishte shoqëruesi i Gilmando Danit gjatë atentatit të djeshëm dhe u plagos me disa plumba, dy prej tyre në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në koma.
Kjo ka bërë të mundur punësimin e M.Sh. pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Nga verifikimet e kryera, AMP ka konstatuar shkelje të procedurave ligjore në procesin e rekrutimit të këtij shtetasi.
Njoftimi:
Në vijim të komunikimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimmin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjesitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.


