Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes “Bajri” për vrasjen e Fatbardh Licit.
Për gjykim kanë kaluar Safet Bajri, ish e dashura e tij Eria Ago, Astmer Bilali dhe Behar Bajri (Rustemi) për veprën penale të vrasjes në dëm të Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2018 në qytetin e Shkodrës.
Për këtë vrasje, ndaj Safet e Behar Bajrit si dhe Astmer Bilalit, SPAK ka ngritur akuzat: “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Ndërsa Eria Ago akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ka drejtuar një prej makinave të përdorura gjatë kësaj ngjarje.
Vrasja është kryer për hakmarrje pas dyshimeve të Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. Pas kësaj ngjarjeje, Behar Bajri, në bashkëpunim me Safet Bajri dhe Astmer Bilalin kanë organizuar dhe vrarë në shenjë hakmarrjeje xhaxhain e Ibrahim Licit, Fatbardh Licin.
Safet Bajri dhe Astmer Bilali kanë përdorur një mjet Benz të vjedhur për t’u afruar në lokalin e të vëllait të Fatbardh Licit, ku ai po pinte kafen, dhe e kanë qëlluar. Ndaj tij ka qëlluar Astmer Bilali. Pas vrasjes, Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Bilali është larguar drejt Tiranës me Eria Agon, ish e dashura e Safet Bajrit, që SPAK e akuzon për përkrahje të autorit të krimit.


