Në procesin “Plumbi i Artë”, ditën e sotme dëshmoi në GJKKO përveç motrës së Elvis Dedës, i vrarë në 2012, edhe ish e dashura e viktimës.
E Identifikuar vetëm me inicialet P.M., ajo tregoi për njohjen me Elvisin, raportet me të, detajet e ditës së ngjarjes kur u vra, konfliktet e lindura me festim Qolin për shkak të pronësisë së karburantit dhe dyshimet që kishte.
“Me Elvisin jam njohur në mars 2012 dhe zgjati derisa ndërroi jetë. Jam njohur përmes shoqes sime, që kishte shok Festim Qolin. Ai sapo kishte ardhur nga jashtë, nga Holanda. Në Shqipëri ai donte të hapte një karburant me Festimin. U hap karburanti në Shkozet. Unë nuk kam qenë ndonjëherë atje. Elvisi në këtë periudhe jetonte me të ëmën në Durrës dhe herë pas here rrinim bashkë në Golem”, rrëfeu ajo mes të tjerash para trupës gjykuese.
Ish e dashura rrëfu edhe detaje nga dita e ngjarjes së rëndë, ku nxori në pah edhe mërzitjen e Elvisit për çështjen e karburantit, që ishte në emër të Festim Qolit, ku ky i fundit dyshohet se ka urdhëruar grupin e Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës për të eliminuar Dedën.
SPAK ka goditur organizatën kriminale pas rrëfimeve të të penduarit Nuredin Dumani.
“Ditën e ngjarjes ai më solli në Tiranë, se kisha provime në universitet. Erdhi më mori, me ktheu në Durrës e më la në shtëpi. Ngjarjen nga televizori e kam parë. Visi ka qenë i shqetësuar atë ditë për shkak të karburantit. Kjo për faktin se e kishin vënë në emër të Festim Qolit, por Elvisi donte ta vinte në emër të nënës”, tregoi ajo.
Në fund foli edhe për faktin se raportet mes Elvisit dhe Festimit që pas konfliktit nuk kanë qenë më të njëjta.
“Nuk kam pasur kontakt me të ëmën e tij. E kam takuar veç ditën e mortit. Unë di që karburanti ka qenë i Elvisit, por ai e ka vënë në emër të Festimit dhe më pas ka dashur ta kalojë në emër të së ëmës. Pas këtij konflikti, raportet e Elvisit me Festimin nuk ishin më si më përpara”, u shpreh ajo mes të tjerash.


