Ka përfunduar pas 6 orësh dëshmia para hetueses e 22-vjeçarit me shtetësi greko-britanike, i cili akuzohet si autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë që ndodhi më 5 tetor në një kamping në Finikunda, në jug të Messinisë, ku hubi jetën pronari i kampingut dhe miku i tij shqiptar.
Sipas avokatit të tij, Dimitris Gavelas, i riu mohoi edhe një herë se është autori kryesor i krimit, duke pretenduar se ishte bashkëpunëtori i tij ai që hyri në vendin e ngjarjes dhe jo ai vetë.
Avokati Gavelas deklaroi se dëshmia ishte e gjatë dhe e detajuar, ndërsa hetuesja zhvilloi një “hetim të thelluar”.
“Klienti im përshkroi ngjarjet ashtu siç ai i përjetoi në çdo fazë të kësaj procedure. Procesi hetimor ka ende rrugë për të ndjekur,” tha avokati për mediat.
Ai shtoi se klienti i tij e mbron të njëjtën linjë që prej fillimit të hetimeve: “Ai nuk është autori i vrasjes me paramendim. Pretendon se nuk ka hyrë asnjëherë në vendin e ngjarjes, por se këtë e ka bërë bashkëpunëtori i tij.”
Kur u pyet mbi faktin që klienti i tij u identifikua nga i vetmi dëshmitar okular i ngjarjes, nipi i pronarit të kampingut, avokati Gavelas e hodhi poshtë saktësinë e identifikimit.
“Çfarë shpjegimi mund të jepet, kur identifikimi është i pasaktë? Ne kemi shqyrtuar me imtësi deklaratën e dëshmitarit dhe ajo përmban shumë pasaktësi’, tha ai.
Sipas mbrojtjes, 22-vjeçari nuk mbante armë dhe nuk ishte ai që shtiu, por ndodhej jashtë, mbi motorin me të cilin ishin mbërritur në kamping.
“Ai ndodhej në Finikunda vetëm për të ndihmuar bashkëpunëtorin në një veprim shantazhi. Nuk i njihte viktimat dhe nuk kishte qenë më parë në atë zonë,” theksoi avokati.
Gjithashtu, avokati shtoi se kitarra që përmendet si provë, nuk ishte sjellë nga klienti i tij.