Është arrestuar autori i dytë i dyshuar i vrasjes së dyfishtë që ndodhi më 5 tetor në një kamping në Foinikounta të Greqisë.
Bëhet fjalë për një 22-vjeçar, mik i të riut tjetër që ishte dorëzuar më herët në Drejtorinë e Policisë së Atikës (GADA), duke pranuar se ishte pasagjer në motorin që përdori autori për të ikur nga vendi i krimit.
Sipas autoriteteve, i dyshuari u arrestua nga policia në banesën e tij në Kallithea.
Më herët gjatë mëngjesit të së martës, në polici ishte paraqitur me avokatin e tij edhe 22-vjeçari tjetër, i cili ndodhej në motor bashkë me autorin ditën e vrasjes.
Ai ka treguar para hetuesve se gjatë verës së vitit 2022 ishte ngacmuar seksualisht nga 68-vjeçari, pronari i kampingut, me të cilin ishte njohur gjatë një vizite në atë vend.
Avokati i të riut, Haralambos Lykudis, deklaroi për mediat se nuk ekzistonin motive ekonomike apo ndonjë trashëgimi si arsye e krimit. Ai sqaroi se qëllimi i dy të rinjve që udhëtonin me motor ishte të frikësonin pronarin dhe t’i merrnin para përmes shantazhit, por vrasja ndodhi “si pasojë e papritur e situatës”.
Sipas avokatit, autori kryesor i vrasjes nuk kishte asnjë lidhje personale me viktimën, ndërsa klienti i tij kishte një “marrëdhënie personale dhe të dhimbshme” me të.
Lykudis shtoi gjithashtu se 22-vjeçari i mbrojtur prej tij e kishte kërcënuar më parë 68-vjeçarin duke qëlluar me një armë ajrore disa kohë para vrasjes, veprim që ai tashmë e ka pranuar para autoriteteve.
Si ndodhi vrasja e dyfishtë në kamping?
Ngjarja e rëndë ndodhi në mbrëmjen e 5 tetorit në kampingun e Foinikountës. Autori i maskuar hyri në recepsionin e kampingut, ku ndodheshin 68-vjeçari, pronar i vendit dhe 60-vjeçari shqiptar, mik dhe bashkëpunëtor i tij për shumë vite.
Autori e qëlloi për vdekje pronarin në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa më pas vrau edhe mikun e tij, i cili tentoi të largohej. Në vendngjarje ndodhej edhe nipi i pronarit, i cili për fat arriti të shpëtonte.