Është arrestuar Marjo Pali, person i dyshuar si bashkëpunëtor i autorëve të vrasjes së dy personave në Velipojë ditën e djeshme.
Viktima nga sulmi me armë zjarri mbetën Ardis Ishmi dhe Ersid Hoxha, të cilët u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nuk arritën t’u mbijetonin plagëve dhe humbën jetën në spital.
Autorët e kësaj ngjarje janë dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, të cilët janë pronarë të një hoteli në Velipojë.
Lidhur me ngjarjen, u raportua se vëllezërit janë konfliktuar me viktimat e një herë tjetër, rreth dy muaj më parë.
Ardis Ishmi dhe Ersid Hoxha janë qëlluar me 6 plumba.
Autorët mbeten ende në arrati, teksa nuk dihet roli i të arrestuarit Marjo Pali në këtë krim të dyfishtë.
Priten informacione të mëtejshme nga uniformat blu.
Sakaq, po vijojnë punimet për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të këtij rasti si dhe arrestimin e autorëve të krimit.
Njoftimi i policisë, dhënë mbrëmjen e djeshme
Velipojë/Informacion paraprak:
Më datë 19.08.2024, rreth orës 21:00, në Velipojë, dyshohet se për motive të dobëta, dy vëllezërit E.F., dhe G. F., dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. H., dhe E. I., të cilët u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodër, por si pasojë e plagëve të marra humbën jetën në spital. Me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, si grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Njëkohësisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.



