Ngjarja tronditëse e ndodhur në tetor 2024 në Piacenza, ku një vajzë 13-vjeçare shqiptare humbi jetën pasi ra nga ballkoni i katit të shtatë të banesës së saj, ka marrë një zhvillim të ri në aspektin gjyqësor. Për këtë krim është dënuar me 17 vite burg ish-i dashuri i saj, i cili në atë kohë ishte vetëm 15 vjeç dhe akuzohet se e shtyu drejt vdekjes pas përfundimit të lidhjes së tyre.
Sipas raportimit të medias italiane, një element i rëndësishëm në vendimin e Gjykatës së të Miturve në Bolonjë janë bërë edhe bisedat që viktima kishte zhvilluar me inteligjencën artificiale ChatGPT, të cilat janë konsideruar si dëshmi e përndjekjes dhe gjendjes së rënduar emocionale që ajo po përjetonte.
Sipas vendimit, Aurora Tila i ishte drejtuar ChatGPT për këshilla mbi marrëdhënien e saj, duke pyetur nëse duhej të ndahej dhe si të dallonte një dashuri të vërtetë nga një lidhje toksike. Gjykata thekson se këto kërkesa tregojnë qartë frikën dhe pasigurinë e saj, duke i konsideruar si prova të sinqerta dhe të besueshme.
Trupi gjykues, arriti në përfundimin se vajza ishte viktimë e përndjekjes dhe se pikërisht frika për sigurinë e saj e shtyu të pranonte takimin e fundit me ish-të dashurin. Sipas gjykatës, i riu veproi i nxitur nga xhelozia dhe posesiviteti, duke shprehur se “nëse nuk do ta kishte ai, nuk do ta kishte askush tjetër”.
Vendimi zbulon se një ditë para ngjarjes, i pandehuri i kishte treguar një shoku për qëllimin e tij për ta vrarë vajzën, fakt që u konfirmua në gjyq nga një dëshmitar. Gjithashtu, ai dyshohet se kishte marrë me vete një kaçavidë, e cila më pas u sekuestrua nga autoritetet.
Mesazhet që ai i kishte dërguar Aurorës për takimin e fundit janë cilësuar nga gjykata si kërcënuese, përfshirë fraza si: “Nesër është hera e fundit, pastaj kurrë më” dhe “Të premtoj se pas së premtes nuk do të të kontaktoj më”. Sipas gjykatës, vajza e pranoi takimin me shpresën për të qetësuar situatën dhe për të ulur tensionet pas ndarjes.
Megjithatë, për gjyqtarët, i riu kishte planifikuar tashmë vrasjen dhe e përdori takimin për të vënë në zbatim planin e tij.
Në vendim theksohet se i dënuari nuk ka shfaqur pendesë dhe ka ndryshuar versionin e ngjarjes, fillimisht duke pretenduar një aksident dhe më pas duke fajësuar viktimën. Gjykata i cilësoi provat kundër tij si “të forta dhe të pakundërshtueshme”, të mbështetura edhe nga dëshmitë e personave që panë ngjarjen.
Sipas prokurorisë, i riu e shtyu vajzën nga ballkoni dhe, pasi ajo u kap pas kangjellave, i goditi duart duke bërë që të binte. Ngjarja ndodhi në banesën e saj, nga kati i shtatë i pallatit ku jetonte me familjen.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 20 vitesh e 8 muajsh burg, duke përfshirë edhe akuzën për mbajtje të paligjshme të një kaçavideje, si dhe kishte kërkuar që të mos njiheshin rrethana lehtësuese. Megjithatë, dënimi përfundimtar u ul në 17 vite për shkak të procedurës së shkurtuar.
I pandehuri vijon të deklarohet i pafajshëm, ndërsa mbrojtja e tij pretendon se ngjarja mund të ketë qenë aksident ose një veprim i qëllimshëm nga ana e vajzës.


