Gjykata e Krimeve të Rënda e Brukselit, ka dënuar të hënën në mbrëmje, 16 shkurt, bosin e mafies shqiptare, Franc Çopja, i njohur edhe si Franc Gergely, me 25 vjet burg për vrasjen e Ardit Spahiut më 27 nëntor 2020 në Sint-Jans-Molenbeek. Sipas gjykatës, Franc Çopja kishte urdhëruar vrasjen nga Dubai.
Një tjetër urdhërues, Mikael Qosja, u dënua me burgim të përjetshëm për përfshirjen e tij në krim. Gjykata vendosi se nuk kishte rrethana lehtësuese. Edhe ekzekutori i vrasjes, Flobenc Mecja, mori dënim me burgim të përjetshëm.
Përveç tyre, Elton Roci u dënua me 20 vjet burg, Elvis Murataj me 8 vjet, dhe Eljo Bitri me 5 vjet burg. Ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë që nga nëntori i 2023 dhe është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Sipas gjykatës, dënimi më i lehtë i Bitrit i dedikohet pendesës, dëshirës për të nisur një faqe të re dhe pranimive të fajësisë gjatë hetimeve.
Lufta e klaneve
Gjykata kishte shpallur shqiptarët fajtorë si autorë ose bashkëpunëtorë në vrasjen e 38-vjeçarit Spahiu. Ai kishte ikur në Belgjikë në 2019, për shkak të frikës për sigurinë e tij në Shqipëri.
Atje po zhvillohej një luftë klanesh mes klanit të Çopjas dhe familjes Alibej. Në kuadër të kësaj lufte u dha urdhri për vrasje. Të dy klanet mafioze përmenden në hetime për trafik të madh kokaine, shkruajnë mediat belge.
Më 27 nëntor 2020, Spahiu u largua nga një lokal në rrugën Condor në Molenbeek dhe teksa dilte jashtë, u qëllua nga një person që zbriti nga një makinë. Ai u qëllua nëntë herë dhe mori 18 plagë të ndryshme nga plumbat, duke ndërruar jetë menjëherë.
Në qershor 2021, pas zbërthimit të mesazheve të koduara Sky ECC, hetuesit arritën të identifikojnë disa nga protagonistët e vrasjes. Franc Çopja u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë në dhjetor 2023. Ai pretendonte se ishte vendosur në Dubai për të zhvilluar tregti me tekstile dhe makina.
MESAZHET NË SKY ECC
Nga mesazhet e lexuara në seancën e gjyqit rezulton se kodi SKY i atribuuar Flobenc Meçjas, i akuzuar si ekzekutori i vrasjes, e kishte ndjekur viktimën prej disa ditësh në Bruksel.
“Shpresoj ta mbarojmë këtë maskara deri në fund të muajit, sepse duhet të kthehem në Shqipëri se do lindë gruaja ime”, i shkruan më 19 nëntor 2020 Flobenc Meçja, Franc Çopjas, raportojnë mediat belge.
Më 27 nëntor 2020, në orën 17:56 – vetëm dy minuta pas Flobenc Meçja dërgoi një seri emoji-sh: gjashtë gishtërinj të ngritur dhe katër figura njerëzish me krahun lart, të ndjekura nga fjala “Ciao”. Mesazhi ishte drejtuar te Franc Gergelyt (Çopja).
Një pjesë e madhe e mesazheve të lexuara gjatë seancës lidhen, sipas hetuesve, me Flobenc Mecjan dhe Mikael Qosjan. Të dy ishin në mungesë dhe nuk ishin të përfaqësuar gjatë procesit gjyqësor.
Mesazhet e atribuuara Franc Çopjas (Gergelyt) ishin dukshëm më të pakta. Megjithatë, sipas organigramit kriminal të prokurorisë federale, kodi në Sky Ecc i Franc Çopjes shërbente si pikë lidhëse mes Flobenc Mecjas dhe Mikael Qosjas.


