Prokuroria e Lezhës ka dhënë sot pretencën për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj.
Seanca gjyqësore zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Saraivën.
Sipas Prokurorisë, ai është autor i vrasjes së ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ngjarja ndodhi brenda ambienteve të një lokali në Shëngjin, ku biznesmeni Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, krimi ishte i organizuar dhe i planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet kyç në ekzekutimin e tij.
Në seancat e mëparshme janë paraqitur prova, dëshmi dhe ekspertiza që, sipas Prokurorisë, faktojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë.


