Tre personat e dyshuar për përfshirje në vrasjen makabre të 56-vjeçarit Anesti Rama kanë mbërritur sot në Gjykatën e Fierit për t’u përballur me drejtësinë. Në pranga janë vajza e viktimës, Ermalinda Rama, 26 vjeç, partneri i saj 55-vjeçar Çlirim Dogani, si dhe nëna e saj.
Sipas hetimeve paraprake, Anesti Rama dyshohet se është goditur fillimisht në zonën e organeve gjenitale me sende të forta dhe më pas është mbytur me tel – një akt që Prokuroria e Fierit e cilëson si vrasje të qëllimshme dhe të organizuar.
Në pamjet e siguruara nga momenti i shoqërimit, shihet si fillimisht zbret nga furgoni i policisë Çlirim Dogani – i martuar dhe baba i dy fëmijëve – e më pas nënë e bijë, të dyja të prangosura.
Të tre dolën para trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarja Klodiana Keyeziu dhe prokurorja Lorena Sallillari.
Akuza zyrtare ndaj tyre është “vrasje me paramendim”, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes që ka tronditur opinionin publik.