Altin Arapaj, 41 vjeç, u vra me armë zjarri këtë të enjte në mes të vreshtave në zonën e Rafinës në Greqi. Autori i dyshuar i krimit është një bashkatdhetar i tij, Mikel Selimaj, i cili mësohet se ka qenë edhe i afërm i viktimës.
Sipas informacioneve paraprake nga mediat greke, motivi i dyshuar i vrasjes lidhet me prishjen e pazareve të drogës mes dy shqiptarëve. Altin Arapaj ishte një emër i njohur për autoritetet greke, pasi më herët është përfshirë në aktivitete të paligjshme, përfshirë edhe në shitblerje të lëndëve narkotike.
Para se të ndërronte jetë, Arapaj arriti të telefononte bashkëshorten e tij, të cilës i zbuloi identitetin e autorit që e qëlloi me armë.
Policia greke ka nisur hetimet dhe është në kërkim të autorit të dyshuar, ndërsa po heton edhe mbi rrethanat e konfliktit mes dy bashkatdhetarëve.