Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i rëndë në kryeqytet, ku një 24 vjeçare nga Palestina u vra me thikë në një banesë të marrë me qira.
Teksa fillimisht u raportua se vrasësi i saj, Fadi Alwan, ishte bashkëshorti i së resë, në fakt blutë dyshojnë se ai është babai dhe jo partneri i saj.
Në këtë mënyrë ndryshon e gjithë rrjedha e hetimeve për autoritetet. 49 vjeçari, Fadi Alwan, raportohet të jetë prindi i 24 vjeçares, motivet e vrasjes të cilat ende nuk dihen.
Dyshimet që ishin çift u ngritën nga fakti se viktima dhe autori 49-vjeçar kishin të njëjtin mbiemër.
24-vjeçarja Rayyan Alwan dhe babai i saj, 49-vjeçari Fadi Alwan mbërritën në Shqipëri, nga aeroporti i Rinasit më 19 Shkurt.
Grupi hetimor ka dyshime të forta se kemi të bëjmë me një vrasje me paramendim pas analizimit të gjitha veprimet e autorit, Fadi Alwan.
Babai i viktimës pasi kryerjes së krimit e ka mbuluar trupin me çarçaf dhe ka dalë shumë qetë nga banesa ku ishin akomoduar. Ndërkohë mësohet se kjo ishte hera e parë që ata vizitonin vendin tonë.
Policia ka këqyrur kamerat e sigurisë në zonë dhe më datë 22 shkurt 49 vjeçari në pamje filmike shfaqet duke u larguar nga zona e rrugës së Kavajës dhe po më datë 22 shkurt është larguar në mbrëmje nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Greqisë.
Ai mësohet se ka marrë me vete të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares.
Dyshues për policinë është edhe fakti se ku kanë prenotuar banesën me qira nuk kanë dhënë dokument identifikimi pronarëve të banesës.