Një grup të rinjsh u mblodhën sot në qendër të Bulqizës për të zhvilluar një protestë paqësore, në nder të bashkëmoshatarit të tyre, Erjon Boba, i cili humbi jetën tragjikisht në 5 dhjetori, pasi u qëllua me thikë. Me pankarta në duar dhe një heshtje simbolike, ata kërkuan më shumë siguri dhe kujdes për problemet që prekin rininë.
“Të rinjtë duhet të ndihen të sigurt kudo,” u shpreh një prej pjesëmarrësve, duke theksuar se protesta nuk është vetëm një homazh për viktimën, por edhe një thirrje për të gjithë komunitetin që të reflektojë.
Protestuesit apeluan që institucionet të marrin masa konkrete për parandalimin e konflikteve, ofrimin e mbështetjes psikologjike dhe krijimin e hapësirave të sigurta ku të rinjtë mund të shprehen lirisht dhe të kërkojnë ndihmë.
Tubimi u zhvillua në qetësi, duke u shndërruar në një mesazh të fortë të solidaritetit dhe kërkesës për ndryshim. Të rinjtë shprehën ngushëllime për familjen e Erjon Bobës dhe theksuan se ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten.
Edhe Barie Boba, e afërme e familjes së viktimës, bëri thirrje për më shumë edukim, kujdes dhe vëmendje ndaj parandalimit të situatave të rrezikshme, si nga ana e prindërve ashtu edhe nga institucionet arsimore.


