Situata në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës vijon të mbetet problematike, ndërsa qytetarët po përballen me pritje të gjata, temperatura të larta dhe mungesë reagimi nga pala greke në doganën e Mavromatit.
Pavarësisht se pala shqiptare po punon me tre sportele aktive dhe po përpunon çdo automjet brenda pesë minutash, vonesat e mëdha shkaktohen nga pala greke, ku përpunimi i një mjeti zgjat deri në një orë. Si pasojë, radha e automjeteve është e gjatë dhe pritjet për qytetarët arrijnë deri në tre orë.
Sipas burimeve nga pika kufitare, vetëm gjatë ditës së sotme kanë kaluar nga pala shqiptare rreth 1500 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe 900 automjete. Fluksi është shtuar ndjeshëm për shkak të sezonit turistik, si dhe emigrantëve që po kthehen në vend për pushime.
Qytetarët shprehen të irrituar dhe të lodhur nga vonesat, ndërkohë që temperaturat përvëluese të muajit korrik e bëjnë pritjen edhe më të vështirë dhe të padurueshme.
Kjo situatë përsëritet prej disa ditësh, pa asnjë reagim konkret nga autoritetet greke për të përshpejtuar procesin në doganën e tyre, duke rënduar ndjeshëm përvojën e udhëtarëve që kalojnë përmes kësaj pike kufitare.