Andi Hasani, 45 vjeç, dhe Agron Goxhaj, 48 vjeç, janë dy personat që ranë në prangat e policisë së Tiranës pasi vodhën sende me vlerë në një kasafortë në një banesë. Ata dyshohen si autorë të vjedhjeve të tjera në kryeqytet dhe në Durrës.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se dy të arrestuarit kanë ruajtur pronarin e banesës ku vodhën kasafortën në zonën e Kinostudios në Tiranë derisa ka dalë nga shtëpia dhe, përmes një çelësi të punuar nga Goxhaj, kanë mundur të hyjnë brenda dhe të marrin kasafortën me gjithçka që kishte brenda.
Pasi kanë hapur kasaportën, kanë gjetur brenda saj një shumë parash dhe sende me vlerë, përfshirë disa bizhuteri dhe një pistoletë që pronari e kishte me leje. Me gjetjen e armës, Hasani dhe Goxhaj janë frikësuar dhe kanë menduar se pronari mund të ishte punonjës policie. Ata janë rikthyer sërish në banesë për të lënë vetëm armën me kasafortën, por jo sendet e tjera me vlerë.
Megjithatë, sapo janë afruar kanë konstatuar në banesë policinë, e cila ishte thirrur nga pronari pas denoncimit për vjedhje. Fillimisht, sapo kanë parë policinë kanë tentuar të largohen me vrap, por afektivët e Komisariatit nr. 4 mundën t’i kapin.
Nga kontrollet në shtëpinë e Agron Goxhajt, i cili rezulton me precedent penal, i arrestuar më parë për plagosje në Shkodër, u gjet punishtja për falsifikim të çelësave të dyerve. Me të njëjtën skemë dyshohet se kanë vjedhur bashkë edhe shtëpi të tjera në zona të ndryshme.
Njoftimi i Policisë:
Tirane/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 operacioni policor i koduar “Access”.
Vodhën një kasafortë me sende me vlerë në një banesë në rrugën “Zihni Sako”, identifikohen, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Të arrestuarit dyshohet se kanë kryer vjedhje edhe në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë marrë sende me vlerë dhe shuma parash.
Sekuestrohen kasaforta, sende me vlerë, 2 automjete dhe 1 motomjet me vlerë rreth 30 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se në banesën e shtetasit R. O. ishte vjedhur një kasafortë me sende me vlerë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Access”, për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
Si rezultat i operacionit, u identifikuan, u kapën në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes dhe u vunë në pranga shtetasit A. H., 45 vjeç dhe A. G., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas, më datë 03.04.2026, u kapën në flagrancë menjëherë pasi kishin vjedhur një kasafortë, brenda së cilës kishte sende me vlerë dhe 1 armë zjarri me municion, e cila posedohej me leje nga pronari i banesës, në rrugën “Zihni Sako”.
Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur si biznes nga shtetasi A. G., u konstatua se ky shtetas modifikonte çelësa të ndryshëm për të mundësuar hapjen e bravave të apartamenteve.
Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se kanë kryer vjedhje të shumave të parave dhe sendeve me vlerë në një banesë në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


