Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm janë rikthyer sërish në qytetin e Vlorës, ku Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka njoftuar ndërprerje të furnizimit në disa zona të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak i kësaj situate është një avari e rëndë e konstatuar në tubacionin kryesor 500, pranë zonës “Miramare”, e cila ka sjellë domosdoshmërinë e stakimit të të gjitha stacioneve të ujësjellësit.
UKV bën me dije se masa është marrë me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në rrjet dhe parandalimin e dëmtimeve më të rënda në sistemin e furnizimit me ujë.
“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se, për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500, të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit.
Grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës.
Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin e UKV.
Kujtojmë se edhe në muajin dhjetor, Vlora mbeti katër ditë pa ujë, ndërprerje e cila preku mijëra familje dhe biznese.
Asokohe defekti u riparua pas ardhjes nga Turqia të pjesëve hidraulike të nevojshme për tubacionin kryesor të ujësjellësit.


