Shirat e rrëmbyeshëm të ditës së sotme në të gjithë vendin dhe kryesisht në pjesën jugore të vendit, kanë shkaktuar edhe fryrje të lumenjve dhe prurje që kërcënojnë vazhdimisht me përmbytje masive dhe katastrofë natyrore.
Situata në zonën e Vlorës paraqitet kritike për shkak të lumit Vjosa, i cili ka arritur pikën maksimale në zonën e “Urës së Mifolit” dhe madje në disa vende ka dalë nga shtrati.
Sipërfaqe të konsiderueshme janë përmbytur dhe po rrezikohet jeta e banorëve. Autoritetet e Emergjencave kanë bërë evakuimin e menjëhershëm të banorëve. Të paktën 20 familje raportohet se janë evakuuar deri tani dhe aksioni është në proces.
Ndërkohë emergjencat civile të bashkisë së Vlorë, efektivë të policisë ndodhen në zonë. Gazetari Enrik Mehmeti, tha se niveli i ujit në urën e Mifolit është në rritje.
Ndërkohë autoritet po punojnë për forcimin e argjinaturës për të parandaluar çarjen e argjinaturës.


