Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mesditë në Parkun Kombëtar të Butrintit, ku një shtetas i huaj që po vizitonte zonën me një grup turistësh është ndjerë keq papritur dhe ka ndërruar jetë pak para se të mbërrinte në spital.
Menjëherë pas raportimit të incidentit, në vendngjarje mbërriti ambulanca e Sarandës, e cila bëri transportimin e tij drejt spitalit rajonal, por gjendja e të huajit u përkeqësua gjatë rrugës, duke i marrë jetën.
Burime nga personeli mjekësor bëjnë me dije se dyshohet për një atak kardiak, i shkaktuar nga temperaturat e larta që kanë përfshirë zonën jugore të vendit ditët e fundit.
Trupi i viktimës ndodhet aktualisht në morgun e spitalit të Sarandës, ndërsa pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.