Vijojnë kontrollet intensive në të gjithë qarkun Vlorë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, arrestohen 4 shtetas që posedonin lëndë narkotike me qëllim shitjen, kryesisht në zona turistike.
Në kuadër të masave të marra për rritjen e sigurisë gjatë sezonit turistik, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë kanë intensifikuar kontrollet në rrugë, banesa dhe ambiente të tjera publike dhe private, me fokus zonat bregdetare dhe turistike.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, u arrestuan në flagrancë 4 shtetas që posedonin në banesat e tyre, në Vlorë, Qeparo dhe Sarandë, lëndë narkotike të llojit cannabis sativa, të dyshuara me qëllim shitjen në zona turistike, konkretisht shtetasit:
Agron Yzeiraj, 44 vjeç, banues në Fier, Neritan Avdiu, 30 vjeç, banues në Qeparo, Klaudja Sadiku, 31 vjeçe, banuese në fshatin Berdenesh, Sarandë dhe Eldi Beshaj, 42 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë.
Materialet procedurale u referuan në Prokuroritë përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia e Vlorës do të vijojë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me fokus zonat turistike, për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve.