Pas disa orësh përpjekjesh intensive, zjarri që shpërtheu mesditën e sotme në një sipërfaqe pyjore në Qeparo është shuar plotësisht.
Ministria e Mbrojtjes thotë se flakët kishin marrë përmasa të mëdha për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, duke rrezikuar direkt banesat dhe një fabrikë vaji në zonë. Ndërhyrja e menjëhershme dhe e koordinuar nga toka dhe ajri bëri të mundur neutralizimin e zjarrit dhe shmangien e dëmeve më të rënda.
Në operacion ishte përfshirë edhe helikopteri Black Haëk i Forcës Ajrore, që luajti një rol kyç në përballimin e vatrës aktive, ndërsa në terren ishin angazhuar mjetet zjarrfikëse, efektivë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimeve të Zjarrfikëses, si dhe punonjës të shërbimit pyjor.
“Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të strukturave të Mbrojtjes Civile, në nivelet vendore dhe qendrore, u arrit të mbrohej jo vetëm mjedisi, por edhe siguria dhe pasuria e banorëve të zonës”, thote ministria.
Autoritetet, përfshirë AKMC dhe Ministrinë e Mbrojtjes, apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe erëra të forta. Çdo zjarr, sado i vogël të duket, duhet raportuar menjëherë për të shmangur situata të rrezikshme për jetën, pronën dhe natyrën.