Është arrestuar 70-vjeçari i cili mëngjesin e djeshëm, 17 shkurt, përplasi katër persona në autostradën Tiranë-Durrës, teksa këta të fundit kishin dalë nga mjeti me të cilin po udhëtonin, pasi ishin aksidentuar.
Sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale I. L., ndërsa nga përplasja ndërroi jetë 28-vjeçari Gëzim Muçaj.
“Arrestohet shtetasti I. L., 70 vjeç, pasi mëngjesin e djeshëm, me automjetin që drejtonte, ka përplasur 4 shtetas që kishin ndaluar në rrugë, pas një aksidenti tjetër. Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. M., drejtuesi i automjetit të ndaluar, si dhe janë dëmtuar 3 pasagjerët të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Si ndodhi aksidenti?
Viktima dhe 3 të aksidentuarit e tjerë raportohet se po udhëtonin me furgon për në punë. Por, 28-vjeçari Gëzim Muçaj humbi kontrollin e mjetit dhe furgoni u përplas me trafikandarësen.
Më pas, viktima dhe 3 pasagjerët në furgon kanë dalë të shohin dëmtimet e përsuara nga mjeti, por në ato momente një automjet ka ardhur me shpejtësi duke i përplasur.
Për pasojë 28-vjeçari Gëzim Muçaj ka ndërruar jetë teksa po transportohej në spital, ndërsa 3 të aksidentuarit e tjerë, Eduart Ripa, Ervin Qira dhe Shkëlqim Doci ndodhen tek Trauma në gjendje të rëndë.