Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë bllokuar rrugën dhe po marshojnë drejt qendrës së Tiranës për të protestuar për rritjen e çmimit të naftës.
Me thirrjet “UBT proteston”, “ngrihuni nga kafja”, ‘fikni makinat’ ata janë drejt qendrës së kryeqytetit.
Gjatë marshimit studentët e Universitetit Bujqësor kanë bllokuar për disa minuta nënkalimin te Kthesa e Kamzës, duke lënë në radhë edhe një makinë të forcave ‘Shqiponja’.
“Kështu e pamë të arsyeshme. Thirrjet tona i drejtohet institucioneve. Nuk jemi ne në luftë, është Ukraina” – tha një student.
“Ideja është se kemi dalë për shumë gjëra, produkteve që i konsumojmë. Ne jemi studentë, meqë nuk punojmë, ato çmime dhe ato lekë ne na i japin të shtëpisë. Jemi të detyruar të protestojmë për të drejtat tona. Thirrjet tona i drejtohen kryeministrit” – tha një studente tjetër.
Vetë studentët kanë deklaruar se jetesa po bëhet e padurueshme, për shkak të rritjes së çmimeve në shumë produkte, e padyshim dhe atë të karburanteve.
Ndërkohë shoferët i janë bashkuar simbolikisht duke i rënë borive të mjeteve. Gjithashtu edhe qytetarë janë solidarizuar duke protestuar së bashku me studentët.
Prej tre ditësh qytetarët janë ngritur në protestë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe të produkteve të shportës.
Një ditë më parë thuajse e gjithë Shqipëria u ngrit në protestë paqësore pikërisht duke kërkuar nga qeveria uljen e çmimeve që po e bëjnë jetesën e qytetarëve të papërballueshme.






