Tregu i “5 Majit” në Tiranë është shkrumbuar plotësisht pas zjarrit masiv që përfshiu të gjithë kapanonet mbrëmjen e djeshme më 8 janar për shkaqe ende të pakonfirmuara zyrtarisht, por që dyshohet se ka ardhur nga një shkëndijë elektrike.
Siç shihet edhe nga pamjet, në zonë kanë mbetur vetëm llamarina dhe rrënojat e kapanoneve të tregtarëve, të cilët kanë deklaruar se dëmi financiar është tejet i konsiderueshëm, pasi i gjithë malli që shisnin ishte aty.
“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Malli është më tepër se 200 milionë lekë, unë më i vogli, po të tjerët që kanë më shumë. Unë tregtoja çorape dhe geta, streçe, veshmbathje. Unë kisha një, vajza kishte dy, u dogj komplet, ka katër kontejnerë brenda” u shpreh Ferdinant Martaneshi për gazetarët, njëri prej tregtarëve të prekur nga zjarri.
Panorama Online ka siguruar edhe pamjet që tregojnë momentin kur ka nisur zjarri në zonën e tregut pranë “5 Majit”.
Siç shihet në këto pamje të siguruara nga gazetarja Xhensila Kodra, fillimisht nga një strukturë ka dalë tym dhe më pas flakët përhapen me shpejtësi.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur si pasojë e një defekti elektrik, megjithatë shkaqet e sakta mbeten ende nën hetim.
Deri më tani të paktën 50 subjekte që ushtronin veprimtari tregtare në kapanonin ku nisën flakët, janë djegur plotësisht. Por, fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar.


